“...zhurma e armëve na ndërpriste lojën...”

Tuesday, March 21, 2017

Unë kam lindur në 1999-ën. Pak kohë përpara se të lindja unë prindërit u larguan nga fshati i të parëve tanë. Më kanë treguar se ishin vite të vështira e duhej të kujdeseshin që unë të rritesha i sigurtë dhe i shëndëtshëm. U larguan me dëshirën dhe shpresën për t’u rikthyer sërish një ditë në Kraishte, atëherë kur situata do të ishte më e qendrueshme. Fatkeqësisht kthimi ishte i pamundur, kështu që familja ime lëvizi në Suhodoll/ Suvi Do. Në të vërtetë deri kur unë mbusha 3 vjeç kemi lëvizur në shumë qytete në Serbi dhe në Mal të Zi.

Vitet kalonin e nga prindërit e mi nuk dëgjova asnjëherë fjalë urrejtjeje për shqiptarët. Madje siç kuptova më vonë, miku më i mirë i tim eti gjatë dhe pas luftës ishtë një shqiptar.

Prindërit ishin shumë të kujdesshëm sepse nuk donin të më rrisnin me ndjenjën e urrejtjes. Megjithatë fëmijëria ime nuk ishte më e lumtura! Unë dhe bashkëmoshatarët e mi ishim të vegjël, por kujtojmë qartësisht zhurmën e armëve të zjarrit që na ndërprisnin vazhdimisht lojën. Për ne ishte bërë e zakonshme…

Numri i madh i viktimave, kishave e shtëpive të djegura, rrëmbimet e njerëzve dhe konfliktet e shumta mes serbëve dhe shqiptarëve, ndikuan në krijimin e një imazhi negativ për shqiptarët në sytë e mi.

Nuk mund të them se i urreja shqiptarët, por isha i frikësur. Më dukej sikur pas çdo cepi rruge fshihej dikush, kurse unë mund të isha thjesht viktima e radhës…do të isha thjesht një tjetër i pafajshëm i vrarë pa shkak.

Më kujtohet si sot vizita e parë në Lipjan, një qytet afër fshatit ku jetoj. Isha shumë i frikësuar, njerëzit rreth e rrotull, në të pandërgjegjshmen time, i shihja si armiqtë e mi.  Në atë vizitë ndodhi diçka e papritur që më ndikoi rrënjësisht.

Dikush i thirri tim eti. Gjatë bisedës së tyre kuptova se zotëria që na kishte thirrur ishte një shqiptar që vinte nga i njejti vend prej nga vinte babai im. Biseduan gjatë, por edhe pse nuk kuptova asnjë fjalë vura re se mes tyre kishte miqësi. Ishte ai moment që më bëri të reflektoja për çdo gjë që kishte ndodhur deri atëherë. Arrita të kuptoja se për të gjithë ne ishte shumë e rëndësishme të kishim paqe. Në atë moment ndjeva dëshirën dhe nevojën për të bërë diçka!

E patjetër do të bëja diçka…por nga ana tjetër fillova të mendoja se kush do i merrte në konsideratë dëshirat e një fëmije? Këto dëshira filluan të bëheshin realitet vetëm përpara 7 vitesh.

Ishte koha kur World Vision erdhi në fshatin tim për të krijuar Klubin e Paqes. Iu bashkova… Në fillim isha skeptik për mënyrën se si do të funksiononte. Pyesja veten nëse do mund të takoja shokë shqiptarë, por në fund i thashë vetes: Nëse nuk provon nuk ke për të pasur asnjëherë sukses! Më pas pati aktivitete dhe miqësitë e para bënë që frika t’i linte vendin gëzimit dhe të qeshurave.

Falë organizatës vizitova për herë të parë fshatin e të parëve të mi. Ishte një ndjenjë e papërshkrueshme!

Gjithsesi, më duhet ta pranoj se ndonjëherë serbët e tjerë më kritikojnë për shkak se kemi mendime të ndryshme nga njëri tjetri.

Për shembull, në disa raste miqtë e mi habiten kur iu tregoj për eksperiencat e mia në këtë klub. Disave prej tyre do t’iu pëlqente t’i bashkoheshin grupit. Megjithatë ka edhe komente të tilla: “Si mund ta kalosh kohën me shqiptarët dhe të jesh miku i tyre? A e di çfarë na kanë bërë shqiptarët? Ke kaluar disa ditë kohë me shqiptarët e ke qendruar në hotel me ta? S’ka mundësi, s’duhet të jesh në vete!”

Po përpiqem shumë që t’iu shpjegoj miqve të mi se gjatë luftës u lënduan edhe shqiptarët, edhe serbët. Iu them se ne duhet të shohim përpara e të bashkohemi për të pasur një të ardhme më të mirë. Urrejtja për njëri tjetrin nuk do të na çojë gjëkundi!

Gjatë 7 viteve që jam bërë anëtar i Klubit të Paqes nuk jam grindur kurrë me shqiptarët. Këto aktivitete kanë përmirësuar shumë marrëdhëniet etnike. Për këtë arsye unë besoj se duhet të vazhdojmë misionin tonë. Për të pasur një të ardhme më të mirë duhet të bëjmë paqe me të shkuarën. Nuk ishte as faji im dhe as faji i miqve të mi shqiptarë. Ne jemi ata që ndërtojmë jetën tonë dhe kemi mundësi të zgjedhim ta përmirësojmë apo ta përkeqësojmë atë. Nëse mendojmë pozitivisht mund ta jetojmë jetën në të gjithë diapazonin  saj.  

Njerëzit shpesh përpiqen të ndikojnë në komunitet, por ata nuk e kuptojnë se problemi qendron tek ata vetë. Ndryshimi duhet të fillojë nga unë, nga secili prej nesh!

Bota e sotme është pasqyrimi ynë!  Kur njerëzit nuk jetojnë në paqe ata nuk janë të lumtur! Kur nuk kupton njerëzit nuk kupton dot as botën!

Një nga gjërat që mësova gjatë aktiviteteve të World Vision është se çdonjëri prej nesh është i ndryshëm nga tjetri. Ka serbë të mirë e të këqinj, ka shqiptarë të mirë e të këqinj. Ne kemi dy kombe të ndryshme, me gjuhë, kulturë, kostume e zakone të ndryshme, ne jemi si një familje e madhe, ku marrëdhënia mes njëri tjetrit duhet të jetë e shenjtë dhe e pathyeshme.

Deri tani kemi pasur sukses në punën që po bëjmë. Në dukje fëmijët nuk mund të bëjnë shumë për paqen në botë, por  kjo nuk na i ul vlerat, përkundrazi. Ne do vazhojmë rrugën që kemi nisur. Do përpiqemi që grupit tonë t’i bashkohen të tjerë anëtarë e të formojmë “Skuadrën e Paqes”. Në këtë mënyrë mund të krijojmë një ambient më të mirë e më të sigurtë për brezin e ri. Një vend ku mbizotëron paqja, gëzimi dhe dashuria!” – rrëfen Filip.